Edhe në “Milan Fashion Week” Elton Ilirjani bëri diferencën
U bënë disa javë tashmë që flasim për Elton Ilirjanin dhe gjithë vëmendjen e merituar që ka marrë në javët e modës. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe edhe në “Milan Fashion Week”. Stili dhe përshtatja më së miri me të veçantën në pasarelë, treguan edhe këtë herë që Elton Ilirjani bën diferencën.
Koleksionet e reja u prezantuan në “kryeqytetin” e modës, Milano, nën ekskluzivitetin e “Global Fashion Collective”.
Yunsonga, ishte artistja që dhuroi një performancë fantastike duke derdhur krijimtarinë e saj plot ngjyra “live” mbi këmishën e bardhë të Ilirjanit. Një spektakël që krijoi një tjetër atmosferë dhe ndjesi ndaj të bukurës, ndaj artit.
Ai u shfaq edhe si princ indian me të gjitha motivet përkatëse, duke marrë të gjithë vëmendjen e të ftuarve që ishin të pranishëm. Kalimi i tij në pasarela transmetoi jo vetëm kreativitetin në dizajn, por edhe përqafimin e kulturave të ndryshme që u ndërthurën përsosmërisht me elegancën dhe stilin që tashmë nuk ja mohon dot askush.
Supermodeli ynë u kurua nga make up artistja e njohur Mirela Baci, punët e së cilës i kemi parë në “look”-un e shumë VIP-ave të njohur. Dy shqiptarë që bëhen bashkë për të bërë më të mirën e për të sjellë art të përshtatur fort me stilin e veshjes.
Veshjet ishin punuar me përkushtim në detaje nga dizajner dhe stilistë të njohur Myart, Feleppa, Piyali Roy Haute Couture dhe Drisha Closet, duke filluar nga ato me motive më glamour e deri te veshjet më klasike. Ngjyrat, materialet velvet, thekët dhe detajet e shkëlqimit sigurisht që nuk munguan në këtë sfilatë.
Pas një jave të ngarkuar me plot angazhime në Itali, supermodelin Elton Ilirjani do ta shohim në një tjetër kryeqytet, këtë herë në atë të dashurisë, në “Paris Fashion Week”.
Fotot: Getty Images