Angjelin Prejlocaj me një “Liqen Mjellmash” të pazakontë nis sot Festivalin e Tiranës
Me biletat e sallës së Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit të shitura për të dyja netët e premierës së “Liqenit të Mjellmave”, koreografi i njohur me franko-shqiptar Angjelin Prejlocaj ka dalë sot në një konferencë shtypi përpara gazetarëve për të folur për edicionin e tretë të Festivalit Ndërkombëtar të Kërcimit në Tiranë (IDFT), që çelet sonte në Tirapë pikërisht me shfaqjen e tij.
Edicioni i tretë i Festivalit do të zhvillohet nga 20 shtatori deri më 12 tetor 2024 në Tiranë dhe Prejlocaj, si drejtor i artistik i këtij festivali, ka njohur publikun me shfaqjet që do vijojnë, por u është përgjigjur dhe interesimit të gazetarëve për performancën e sotme të trupës së tij. Me një përshtatje më bashkëkohore të veprës muzikore të Tchaikovskit, ai rikthen këtë vepër monumentale të repertorit klasik të baletit, pa u larguar nga vepra origjinale dhe rrëfen historinë e mjellmës që përballet me problemet e epokës tonë.
Përgjatë 3 javëve të Festivalit Ndërkombëtar të Kërcimit Tirana do të gjallërohet nën ritmin e kërcimit bashkëkohor. Angelin Preljocaj, koreografi franko-shqiptar dhe drejtori artistik i festivalit, është i angazhuar për të promovuar artin e kërcimit në të gjithë Shqipërinë, me synimin që brenda 5 viteve të ardhshme Tirana të zhvillohet si një nga kryeqytetet evropiane dhe qendrat e rëndësishme të kërcimit bashkëkohor. Çdo vit, Shqipëria bëhet skena e Festivalit Ndërkombëtar të Kërcimit në Tiranë (IDFT), duke tërhequr artistë, koreografë dhe entuziastë të kërcimit nga e gjithë bota. Festivali njihet për performancat e guximshme dhe inovative, dhe ofron një platformë të posaçme, që bën bashkë shprehitë tradicionale me format bashkëkohore.
Festivali i organizuar nga shoqata IDFT në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Bashkinë e Tiranës dhe Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit do të ofrojë një program me kompani dhe koreografë të njohur evropianë dhe shqiptarë, si dhe performanca innovative, të cilat do të nxjerrin në pah koreografët e së ardhmes. Kështu, Festivali afirmon edhe trashëgiminë kulturore të vendit në skenën ndërkombëtare.
Ky Festival do të përmbajë gjithashtu seminare, masterklasa dhe takime interaktive, duke bërë të mundur që audience të njohë më thellë kërcimin dhe çështjet që e rrethojnë. Këto shkëmbime mes artistëve dhe audiencës do të krijojnë një dialog dinamik dhe informues, duke pasqyruar diversitetin dhe pasurinë e skenës së kërcimit.
Performancat do të zhvillohen në disa vende emblematike, si Teatri i Operës, Teatri Kombëtar, sheshi Skënderbej, dhe Vila 31, duke u ofruar vizitorëve një përvojë përfshirëse të shpirtit kulturor të Tiranës.