Covid-19/ Franca nis lehtësimin e masave izoluese, Macron: "Kemi kaluar pikun e valës së dytë"
Pavarësisht se situata e Covid-19 mbetet shqetësuese në të gjithë botën, me numrat e infektimeve dhe viktimave që vazhdojnë të rriten, Presidenti i Francës Emmanuel Macron, ka vendosur të nisë lehtësimin e masave kufizuese.
Kujtojmë se Franca ka qenë pothuajse në një izolim të plotë, ndërsa nga 28 nëntori do të rihapen bizneset e vogla, do të lejohet udhëtimi deri në një rreze 20 kilometra nga vendbanimi aktual, po ashtu do të lejohen edhe aktivitetet jashtëshkollore në natyrë.n Presidenti po ashtu ka bërë me dije se duke filluar nga dita e shtunë, kishat dhe xhamitë mund të presin në ambientet e tyre jo më tepër se 30 persona.
Ndërkohë duke filluar nga 15 dhjetori rihapen teatrot, kinematë dhe muzetë, ndërsa do të vijojnë të mbeten të ndaluara tubimet e grumbullimet e njerëzve. Macron paralajmëron se në 20 janar do të hyjë në fuqi një tjetër plan masash, ku do të ketë akoma më shumë lehtësime, duke filluar me hapjen e plotë të të gjithë shkollave të mesme. Sipas Presidentit francez piku i valës së dytë nga Covid-19 ka kaluar, por frika qëndron tek një valë e tretë, gjë që do të detyronte vendin e tij të hynte në një "Lock-Down lll".
Përsa i përket periudhës së festave në muajin dhjetor, qeveria franceze do të heqë më datat 24 (Krishtlindjet) dhe 31(Nata e Vitit të Ri) kufizimet e udhëtimit, në mënyrë që qytetarët të mund të festojnë me familjet e tyre. Gjithsesi Macron thotë se festat nuk do të jenë si më parë.
/News31