Fqinji i miss-it kosovar u dënua me burg për abuzim seksual ndaj saj, zbardhen detaje të reja nga aktgjykimi



Detaje të reja janë zbardhur nga aktgjykimi i çështjes së Tuti Sejdiut, (“Miss Universe Kosovo”), e cila tronditi me historinë e saj të përdhunimit e trafikimit në moshën 13-vjeçare nga Kosova në Serbi. “Gazeta Express” ka bërë publik aktgjykimin ku në fakt nuk përmendet se ajo është përdhunuar apo trafikuar nga fqinji i saj, siç ajo ka deklaruar. Sipas dokumentit i pandehuri është arratisur në Serbi kur familja e të miturës zbuloi lidhjen e tyre. Në dëshminë e tij ai ka treguar se çdo gjë ka ndodhur me dëshirë. “A.K. 1981, është fajtor sepse gjatë muajit shtator të vitit 2015 në vende të ndryshme në Gjilan, e pastaj më 26 shtator të vitit 2015 rreth orës 01:00, te moteli “C…”, në rrugën Gjilan-Ferizaj dhe gjatë qëndrimit të qytetit Shabac të Serbisë nga data 1 tetor 2015 deri më datën 6 tetor 2015 e ka keqpërdor seksualisht personin nën moshën 16-vjeç, tani të dëmtuarën e mitur Sh.S. e lindur në vitin 2002, duke kryer marrëdhënie seksuale me të. Pasi që është zbuluar lidhja e të miturës me të pandehurin nga të afërmit e saj, i akuzuari është arratisur në Serbi. Ndërsa më 15 tetor 2016 ai është dorëzuar në stacionin policor në Gjilan. Është vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprën penale “keqpërdorim seksual i personave nën moshën 16-vjeçare”. Gjykohet me burgim në kohëzgjatje prej 4-vjetësh”, shkruhet në aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Gjilanit.





Dëshmia e tij:
“Kam filluar të punoj në shitoren time në Gjilan, aty ka ardhur dhe kemi shkëmbyer puthje. Prej atij momenti ka filluar lidhja dhe komunikimi përmes telefonit të babait të saj. Të nesërmen kemi shkuar te motel “C..”, dhe aty kemi pasur marrëdhënie seksuale me dëshirën dhe iniciativën e saj, pasi edhe më herët ajo kishte pasur marrëdhënie seksuale. E kam ditur që është e mitur, por nuk e kam ditur që është nën moshën 16-vjeç”.






Dëshmia e Tuti Sejdiut:
“Edhe pse fillimisht kam shkuar vullnetarisht, kam kërkuar nga ai që të më lëshojë. M’i ka dhënë edhe 10 euro dhe e ka ditur për moshën time. Është e vërtetë që kam dalë me të dhe kemi shkuar në motel në Gjilan. Ai ka kërkuar nga unë që të mos pranoj, nëse dikush më pyet për lidhjen tonë.”

Detaji i ri që përmendet në dosjen e çështjes është dhe fakti se si ajo kishte arritur që ta kalonte kufirin dhe të shkonte në Serbi në një kohë që ishte vetëm 13 vjeçe.

“Gjatë kohës së qëndrimit në Shabac, një herë kam tentuar që të iki nga shtëpia e tij sepse më ka goditur. Në Serbi kanë ardhur mami dhe babi im dhe më kanë marrë nga një vend ku isha e strehuar”, tregoi ajo. /News31