(FOTO/VIDEO) Pas pesë vitesh rikonstruksion, inagurohet TKOB-ja, i ftuar special tenori Placido Domingo



Sikurse ishte paralajmëruar, Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit është inaguruar mbrëmjen e sotme, me një program të pasur artistik. Pas pesë vitesh mbylljeje për shkak të rikonstruksionit, nën sloganin “Rikonstruksioni – Hapja e TKOB” do të nisin eventet e inaugurimit. Në inaugurimin e teatrit janë ngjitur në skenë kolosët botërore Placido Domingo dhe Ermonela Jaho. Ndërkohë, orkestra drejtohet nga dirigjenti anglez Martin Andre. Rikonstruktimi i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit ka nisur në janar të 2017 për t’iu nënshtruar kushteve më bashkëkohore dhe moderne.





Veshja e Kryeministrit Rama






Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama i ka surprizuar të gjithë kur është shfaqur i veshur sportiv në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. Me një bluzë me kapuç, Rama është futur me bashkëshorten e tij, Linda Rama dhe ministren e Kulturës Elva Margariti në sallë.

Kurse Linda Rama është veshur me të zeza, duke kombinuar një xhaketë fine dhe një fund të gjatë me tyl. Me të zeza ka zgjedhur të shfaqet edhe Margariti, e cila ka veshur një kostum të zi.

Fjalimi emocionuese i Ermonela Jahos

Nga skena, ku nisi ëndrra e saj, Sopranoja Ermonela Jaho kujtoi fillimet dhe dha një mesazh për këdo që i vë vetes qëllime. Ishte Ermonela që ftoi në skenë legjendarin Placido Domingon, i cili mori duartrokitjet e publikut shqiptar.

Edhe pse i vogël, por me një pasion dhe dashuri të jashtëzakonshme, këtu filloi ëndrra ime për t’u bërë këngëtare operistike. Ashtu si ato breza që na kanë frymëzuar neve, na kanë dhënë këtë shpresë, këtë forcë, uroj që ky teatër dinjitoz të japë të njëjtën shpresë, të njëjtin frymëzim, edhe brezave të rinj. Thuhet që ëndrrat janë të vështira për t’u arritur, por unë e arrita ëndrrën time, dhe ëndrra ime fillon pikërisht këtu. Sa herë me pedagogët tanë, këngëtarët e bashkëkombasit e mi, që kanë dalë nga kjo skenë, kemi folur e ëndërruar për idhujt tanë. Ishte diçka e jashtëzakonshme të kishim qoftë edhe një regjistrim të tyrin, dhe pikërisht njëri nga ata idhujt tanë, që nuk ka nevojë për prezantim, këndon në këtë skenë dinjitoze. Me pak fjalë, ftoj në skenë legjendarin Placido Domingo”, tha sopranoja, duke i lënë skenën legjendarit spanjoll, që dhuroi emocione të forta me interpretimin e tij.

/News31