(FOTO) Dua Lipa vjen në Tiranë së bashku me Anwar Hadid, takohet me kryeministrin Rama dhe Erion Veliajn
NEWS-31
Surprizë! Këngëtarja më e famshme dhe më e suksesshme shqiptare Dua Lipa ka ardhur në Tiranë, së bashku me familjen e saj dhe të dashurin, Anwar Hadid. Artistja është takuar me Erion Veliajn, i cili i dhuroi një targë simbolike “Dua 100”, kapelen e gruas tironse, si dhe diskun muzikor me këngë popullore të Shqipërisë së mesme, realizuar në 100-vjetorin e Tiranës kryeqytet, “Tirana 100”.
Veliaj iu dhuroi gjithashtu dhe babait të saj, Dukagjinit si dhe partnerit të saj nga një fanellë të personalizuar nga ekipi i futbollit të Tiranës. Ndërsa, Dua Lipa i dhuroi Veliajt albumin e saj më të fundit, që po thyen rekordet botërore, “Future Nostalgia”, i cili për 6 muaj ka qëndruar në top 10-en e këngëve më të mira.
Ajo është takuar edhe me kryeministrin Edi Rama. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Rama uron atë të rrojë e të mbretërojë 100 vjet në fronin ku është ulur. Ai shprehet se brenda tij ka mbetur gjurma e vajzës së mençur, të edukuar e modeste si të ishte askushi, teksa i ka dhuruar edhe një nga pikturat e tij.
“DUA LIPA që ka kapur qiellin e botës muzikore s’ka nevojë për asnjë koment, ndërsa një koment për Duan që pata kënaqësinë të njoh, unë dua ta ndaj me ju. Uroj që ajo të rrojë e të mbretërojë 100 vjet në fronin ku është ulur, po brenda meje mbeti gjurma e vajzës së mençur, të edukuar e modeste si të ishte askushi, e cila është me siguri krenaria e lumturia e prindërve dhe e krejt familjes së saj, pikërisht sepse çka i takon botës nga ylli i muzikës, nuk ka prekur asnjë fije atë çka u takon atyre nga vajza e tyre. Çfarë çike”, shkruan Rama.