Ngjarja e sotme në Velipojë ku humbën jetën katër persona e u plagosën dy të tjerë si pasojë e një konfliti për hapësirën e rërës, tronditi të gjithë opinionin publik. Padyshim masakra ka tërhequr vëmendjen e mediave, e jo vetëm. Myzerim Zeneli është më i pafajshmi nga 4 personat që humbën jetën pak minuta pas mesnatës së 27 qershorit. 20-vjeçari ishte në ditën e parë të punës, e cila rezultoi dita e fundit e jetës së tij. Konflikti mes Ferracakëve dhe Gocajve nuk kishte lidhje me të, ai thjesht kishte shkuar për të nxjerrë të ardhura për veten në këto muaj. Ndërkohë tre personat e tjerë që humbën jetën janë: Biznesmeni i njohur i zonës, Kujtim Ferracaku, dy vëllezërit Xhovani Gocaj dhe Edmond Gocaj. Kurse të plagosur mbetën dy persona, Hasan Ferracaku dhe Elmilind Dyli.
Ndërkohë postimi i Blendi Fevziut në rrjete sociale ka të vërtetën e tij tronditëse dhe na rrënqeth të gjithëve.
Postimi tij:
Myzerim Zeneli duhet të ketë qenë i gëzuar dje, në ditën e tij të parë të punës. Punës që i siguronte jetesën për vete dhe një ndihmë për nënën në gjendje tejet të vështirë. E gëzuar duhet të ketë qenë edhe nëna e tij, që e rriti jetim dhe që besoi se tashme djali do t’i dilte krah. Asnjë nga të dy s’mund ta dinte që kjo do të ishte jo vetëm dita e fundit e punës, por edhe e jetës e tij. Jetës kaq të re dhe fare të pafajshme. Ai nuk çoi dot as rrogën e parë në shtëpi, ndërsa në xhep ju gjetën vetëm 30 lekë. Nuk ndihmoi dot as nënën që sot po kërkon nëpër të afërm dhe komshinj lekët e arkivolit me të cilin do të çojë të birin në varr. Do ta çojë me pishmanin e çdo prindi që nuk i siguroi dot djalit thuajse asgjë në jetë.
Myzerim Zenelin se thërriste askush në emër, thoshte sot një lajm. I thërrisnin “Jetimi”, sipas një mendësie neveritëse të shoqërisë shqiptare. Por sot, me siguri, kushdo që e ka lexuar emrin e tij, do ta ketë shumë të vështirë ta harrojë.
Myzerimi ishte nje nga mijëra e mijëra të rinjte e Shqipërisë që aspironte një jetë normale. Ishte një prej atyre që punojne nga mëngjesi në darkë, që sakrifikojnë, që japin gjithçka dhe paguhen aq pak. Ishte një prej të rinjve që me punën e tyre mbajnë mbi supe këtë vend. Që vuajnë padrejtesi dhe që s’dinë ku t’i denoncojnë ato.
Myzerimi pati vetëm një “mëkat” në jetë. Besoi, se do çante në jetë me punë të ndershme dhe me përkushtim. Nuk u bë as trafikant; nuk futi një revole në brez të bëhej vrasës me pagesë; as kërcënoi njeri, as grabiti kënd. Thjesht punoi. Ose tentoi të punojë sepse jetën ja morën që ditën e parë të punës së tij. /News31