Festa e 7 Marsit, urimi i ministres së Arsimit Kushi: ”Çdo mësues është një hero”
Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka përcjellë mëngjesin e sotëm një mesazh në rrjetet e saj sociale, ku uron për të gjithë mësuesit festën e "7 Marsit". Me anë të një video-je në "Facebook"", Kushi i ka shprehur falenderime dhe mirënjohje mësuesve për çdo sakrificë që po bëjnë në këtë kohë të vështira duke i qëndruar pranë nxënësve. Puna e tyre, sidomos tani, dëshmon më shumë se kurrë sipas ministres që ata janë heronj. Bashkangjitur me videon, Kushi shpreson që asnjë 7 mars tjetër të mos i ngjajë këtij të sotmit, ndërsa uron që të mund t'i dhurojmë lule dhe përqafime mësuesëve sa më shpejt që të jetë e mundur. Po ashtu, një urim për mësuesit nuk ka munguar as nga kryeministri Rama në këtë 7 mars.
“Sot është 7 marsi, festa e mësuesit. Një 7 mars ndryshe nga çdo herë tjetër. Një 7 mars ku çdo nxënës dhe prind po ndjen sakrificën madhore të mësuesve tanë. Sakrificë që do të mbahet mend shumë gjatë. Të dashur mësues, falenderimet dhe mirënjohja për ju asnjëherë nuk mjafton sepse çdo mësues është një hero. Një hero që të merr për dore të ndriçon dhe bëhet udhërrëfyesi ynë,”- thotë Kushi ndër të tjera në videon e saj.
Nga ana tjetër kryeministri Rama, po ashtu përmes një postimi "Facebook”, thotë se ky është një vit vërtetë i vështirë për njerëzit, teksa shprehet i sigurtë se më e mira është përpara tyre.
“MIRËMËNGJES dhe me një urim nga zemra për të gjithë mësuesit e Shqipërisë, ata në pension e ata që në krye të detyrës qv po kalojnë një vit tejet të vështirë, duke i siguruar krejt ata se më e mira është ende përpara nesh, ju uroj të gjithëve një ditë të bukur”- shkruan kreu i qeverisë.
/News31