Fëmijët rikthehen në shkolla/ Mësim me maska, turne dhe orë të reduktuara
Ditën e sotme ka nisur zyrtarisht procesi mësimor për të gjithë nxënësit e shkollave jo publike në vendin tonë.
Ky është i treti vit radhazi që nxënësit janë të detyruar që të zhvillojnë mësim me kushte, për shkak të pandemisë së Covid-19.
Mësimi ka filluar në orën 08:00 dhe orët do të jenë nga 30 minuta, si një masë e marrë për të reduktuar qëndrimin në një ambient të mbyllur për orë të gjata. Nxënësit janë të detyruar të respektojnë distancimin social, të mbajnë maskat si dhe ambientet duhet të ajrosen vazhdimisht. Në shkollat ku është e pamundur të respektohet distancimi social, mësimi do të zhvillohet me turne.
Dy ditë më parë Ministria e Shëndetësisë publikoi edhe urdhrin në lidhje me certifikatën e vaksinimit apo testimit, ku thuhej se arsimtarët janë të detyruar që të jenë të vaksinuar, ndryshe çdo javë duhet të bëjnë tampon dhe të paraqesin testin negative për Covid-19.
“Për studentët që nuk paraqesin Certifikatën e Vaksinimit Covid-19 apo kartën e vaksinimit, drejtuesit e Institucioneve të Arsimit Universitar të marrin masa për ofrimin e studimit në platforma alternative duke filluar nga 11.10.2021” , thuhet në njoftim e Ministrisë së Shëndetësisë.
Ditën e djeshme ministrja e Arsimit, Evis Kushi me një vido-mesazh teksa u uroi suksese nxënësve për vitin e ri shkollor, u bëri thirrje që të tregohen të kujdeshëm dhe të respektojnë të gjitha masat anti-Covid.
Ndërkohë sot, nuk kanë munguar urimet e politikës shqiptare, duke nisur me presidentin Ilir Meta, kryeministrin Rama, kreun e PD Lulzim Basha e deri tek ministrat, dhe kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla.
/News31