Është konsideruar si më “i tmerrshmi”, Evropa regjistron rastin e parë me variantin e ri të COVID-19
Varianti i ri i koronavirusit, i ashtuquajturi “mutacion i Botsvanës” ka vendosur botën në alarm. Ai ësxhtë konsideruar si varianti më “i tmerrshëm” dhe që përhapet shumë shpejt.
Belgjika regjistroi sot rastin e parë me këtë variant, të zbuluar së fundmi në Afrikën Jugore. Duke folur në një konferencë për media bashkë me kryeministrin belg, Alexander De Croo, ministri belg i Shëndetësisë, Frank Vandenbroucke, tha se një person në Belgjikë rezultoi pozitiv me variantin e ri.
“Kujdesi është i nevojshëm, por mos u frikësoni”, tha ai në një paralajmërim publik.
Konsiderohet se ky variant ka pësuar numrin më të madh të mutacioneve nga të gjitha të tjerat. Këto janë ditët e para të identifikimit të tij.
Mbretëria e Bashkuar menjëherë ndaloi udhëtimet në 6 shtete afrikane, megjithatë frika është se virusi do të vazhdojë përhapjen. Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se është duke e monitoruar këtë variant dhe për këtë arsye do të mbajë një takim urgjent për të diskutuar se çfarë nënkupton kjo situatë për pandeminë dhe vaksinat.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen po ashtu iu rekomandoi shteteve anëtarë që t’i pezullojnë të gjitha fluturimet nga vendet e Afrikës së Jugut të prekura nga ky varianti.
Varianti i quajtur për momentin B.1.1.529, ka mundësi që të marrë emër grek – si variantet Alfa dhe Delta – nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. OBSH thotë sakaq se është shumë vonë për të parandaluar një valë të re të sëmundjes në Europë.
/News31