E kishit menduar më parë që Eneda Tarifa është e vetmja që ka tre?
Çmimet e para në festivalet e muzikës janë kthyer shpesh në objekt diskutimi jo vetëm për publikun, por edhe mes artistësh. Sa herë flitet për kompeticione, janë këngëtarët ata që kanë gjithmonë diçka për të komentuar.
"Festivali i Këngës në RTSH" dhe "Kënga Magjike" janë të parat kur vjen puna tek konfliktet mes këngëtarëve. Pak orë më parë, u publikua lista e artistëve që do të marrin pjesë në festivalin e RTSH këtë vit. Mjaftoi kaq, që të na kujtohej se është një emër në veçanti që ka arritur të dalë fitues në të gjitha festivalet muzikore: Eneda Tarifa. "Me veten" i dhuroi Enedës trofeun e "Top Fest" (edicioni i shtatë) në vitin 2010. Pesë vite më pas, këngëtarja konkurroi në festivalin e përvitshëm të RTSH-së, ku përveç fitores, natyrisht mori me vete edhe 'biletën' për përfaqësimin e Shqipërisë në Eurovizion.
Vitin e kaluar, pra në edicionin e fundit të "Kënga Magjike", Eneda shtoi në listën e çmimeve trofeun e radhës. "Ma zgjat dorën" i dhuroi këngëtares fitoren, duke bërë kështu që Eneda të jetë e vetmja që ia ka dalë të jetë fituese e tre festivaleve më të rëndësishme në vend. Triumf më vete, do të thonim! /News31