“Drejtësi për Sabrina Bengajn!” Me pankarta në duar, dhjetëra qytetarë protestojnë në rrugët e Tiranës



Një ngjarje e rëndë ndodhi në një fshat të Fierit para pak kohësh që tronditi gjithë vendin. 23-vjeçarja Sabrina Bengaj, e cila kishte një urdhër-mbrojtje dhe ishte në proces divorci, u ekzekutua nga bashkëshorti në shtëpinë e prindërve të saj. Të dy ishin prindër të një vajze 3-vjeçare. Autori i ngjarjes, Elton Metaj, ishte liruar nga burgu në korrik të këtij viti, pasi ishte arrestuar rreth një vit më parë, kur mbajti peng Sabrinën dhe familjen e saj nën kërcënimin e armës.





Ditën e sotme në Tiranë është organizuar një protestë për vrasjen e të resë. Dhjetëra qytetarë me pankarta të ndryshme në duar po protestojnë për vrasjen e Sabrinës. Në pankartat që qytetarët po mbajnë në duar, shkruhet “Përgjegjësi për vrasjen e Sabrinës”, “Vrasja e grave dhe vajzave është pandemi. Ku është vaksina”, “Ngrejmë zërin dhe kërkojmë përgjegjësi për çdo viktimë”.






Kujtojmë se Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Elton Metajn. Ndaj tij rëndon akuza për veprën penale “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”.

/ News31