Doza e tretë dhe vaksinimi i fëmijëve, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu: “Komiteti i Ekspertëve vendos nesër”
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, vizitoi ditën e sotme Shkodrën, në kuadër të një aktiviteti kushtuar “tetorit rozë”, muajit të sensibilizimit të kancerit të gjirit, nga ku foli edhe për pandeminë edhe vaksinimin masiv kundër COVID-19.
Nga aty, ajo njoftoi disa nga rekomandimet e marra gjatë diskutimeve të Komitetit Teknik fundjavën e shkuar. Manastirliu zbuloi se komiteti ka rekomanduar bërjen e dozës së tretë të vaksinave, uljen e fashës së vaksinimit në grup-moshën plus 16-vjeç dhe vaksinimin e fëmijëve mbi 12-vjeç, nëse ata shfaqin problematika shëndetësore. Sipas ministres këto rekomandime të diskutohen në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve ditën e nesërme, për tu marrë më pas një vendim, i cili do tu njoftohet qytetarëve.
“Këto rekomandime do të diskutohen ditën e nesërme në mbledhjen e Komiteti i Ekspertëve dhe do të kemi një njoftim edhe për vendimet që do të marrë ky komunitet. Vaksinimi është e vetmja armë që ne kemi për tu mbrojtur nga Covid-19. Ashtu siç raportohet nga spitali Infektiv, rastet të cilat janë të pavaksinuara janë mbi 95%”, tha ministrja.
Për sa i përket veprimeve që do të ndërmerren ndaj studentëve që refuzojnë të vaksinohet, Manastirliu zgjodhi të mos jepte një përgjigje të prerë, duke thënë se fokusi është te vaksinimi dhe jo te masat penalizuese.
/News31