Do të rikthehet në Top Albania Radio? Saimir Kodra: "Radio është dashnorja që nuk do tradhëtoja kurrë!"
Një prej emrave më të njohur e më të dashur të ekranit, Saimir Kodra ishte i ftuar sonte në emisionin e përjavshëm "Pardon My French" me Jonida Aliçkollin dhe Kejvin Kalon në Top Albania Radio.
Saimiri kishte zgjedhur që këtë vizitë në ambjentet e TAR të mos e bënte i vetëm, por të merrte dhe të birin, për të treguar radion, nga ku gazetari dhe moderatori ka lënë gjurmët e tij.
Në një bisedë që - sigurisht - nuk ka munguar humori dhe të qeshurat, Kodra ka treguar mjaft detaje nga jeta e tij familje, por edhe nga profesioni. Ndër të tjera, Saimiri u pyet nëse do të rikthehej një ditë në radio duke qenë se tashmë figura e tij i është bashkangjitur "STOP"-it dhe formateve investigative dhe përgjigja qe:
"Radio është një dashnore që nuk do ta tradhëtoj kurrë! Po ta hapësh te Fjalori i Gjuhës Shqipe e gjen si terminologji dhe është shumë e bukur. ‘E dashur’ sot është pak moderne, për ne të vjetërit, dashnorja është më sublime. Edhe që nuk e putha kurrë, më vjen keq! Nuk e di kur do të kem atë kontaktin… por është një dashuri platonike që jeton gjatë!"
"Realisht… jo se jam me ju sot këtu, por kam nja 6-7 muaj që e mendoj një rikthim në radio. E shoh si një mekanizëm relaksues dhe dua të bashkëbisedoj me njerëzit duke i ndjerë shumë pranë… janë si këto seancat me psikologun…!", - ka përfunduar përgjigjen e tij gazetari.
Saimiri nuk ka ngurruar të tregojë për dëgjuesit dhe për moderatorët në studio se shumë vajza janë dashuruar pas zërit të tij, por kur e kanë parë si dukej janë zhgënjyer... dhe batuta të tilla na kanë shoqëruar gjatë gjithë bisedës.