Sot është Dita e Verës, festa tradicionale e Elbasanit që festohet në 14 mars, e quajtur ndryshe edhe “Festa e Luleve”, e cila vitet e fundit shtrihet edhe në kryeqytet e disa rrethe të tjera. Ndërsa vitin e shkuar kjo ditë nuk u festua thuajse fare, për shkak të pandemisë, këtë qytetarë duket se janë të gatshëm të festojnë, sidomos pas një dimri të vështirë, jo vetëm për shkak të Covid-19. Kështu një pjesë e festimeve ka nisur që ditën e djeshme, me shumë njerëz që kanë ndezur zjarrin që simbolizon largimin e dimrit dhe të këqijave, për të rikthyer dritën e shpresës dhe për t'i uruar mirëseardhjen pranverës.
Gjithsesi, pandemia do të ndikojë edhe në këtë Ditë Vere, teksa për të dytin vit radhazi festimet do të jenë larg tradicionales, Në Elbasan, mbrëmjen e djeshme u hodhën fishekzjarre, duke i dhuruar një spektakël plot me ngjyra qytearëve, ndërsa ditën e sotme, nën masa strikte anti-Covid do të zhvillohen disa aktivitete, sidomos në sheshin kryesor të qytetit.
Ndërkohë sipas “BalkanWeb”, në Tiranë dhe Elbasan se do të ketë shtim patrullash të Policisë për monitorimin e situatës, në mënyrë që të mos lejohet organizimi i grumbullimeve në vende të mbyllura dhe të hapura. Madje jo vetëm sot, por do të ketë edhe nesër kur është pushim zyrtar. Po ashtu do të monitorohet mbajtja e detyruar e maskës nga të gjithë qytetarët, gjatë qëndrimit apo lëvizjes në ambientet jashtë shtëpisë.
Nga Policia do të ketë kontroll të shtuar në ambientet e lokaleve, bareve dhe restoranteve, duke njoftuar pronarët dhe administratorët për të mos organizuar apo lejuar grumbullime masive të qytetarëve gjatë Ditës së Verës. Parashikohet nga autoritetet ndërhyrja për ndalimin e grumbullimeve më shumë se 10 persona në vende të mbyllura apo të hapura, me qëllim festimin në këtë ditë. Gjithashtu do të ndalohet lëvizja e qytetarëve pas orarit të lejuar si dhe aktiviteti i bareve dhe restoranteve përtej orës 20:00.