Dafina Zeqiri parandaloi disa vetëvrasje me këngën e fundit



Muzika frymëzon, shpëton edhe jetë. Këtë na e vërtetoi mjaft mirë këngëtarja e mirënjohur Dafina Zeqiri me këngën e saj të fundit “Duro”, në të cilën ajo flet për vështirësitë dhe problemet që dikush mund të kalojë me shëndetin mendor. Si duket kënga ka arritur të depërtojë te fansat e saj dhe t’i largojë ata nga mendimet e vetëvrasjes. “Linja e Jetës”, e cila ofron prej kohësh shërbime falas në ndihmë të personave që mendojnë t’i japin fund jetës së tyre, i ka dërguar një mesazh Dafinës për t’i treguar se shumë persona kanë rritur ndërgjegjësimin duke thirrur qendrën telefonike për parandalimin e vetëvrasjeve. Lajmin e bukur e ka ndarë edhe artistja me fansat e saj në rrjetet sociale.





“Tung Dafina! Uroj që kjo kohë nuk ka qenë shumë e mundimshme për ty e që sa më shpejt ka me kalu edhe kjo periudhë! Së pari, falënderimin tonë ndaj jush kemi menduar ta verbalizojmë në takimin tonë, por për shkak të situatës, po e ndjej nevojën të të falënderoj përmes këtij mesazhi. ‘Duro’ ka pasur ndikim të pamatshëm në numrin e thirrjeve në linjën tonë. Çdo natë ka pasur thirrje të shumta nga shumë persona të cilët na kanë telefonuar, pasi që e kanë dëgjuar këngën tuaj dhe janë inspiruar të thërrasin te ne. Andaj, ju themi shumë herë faleminderit për një iniciativë të këtij lloji, që është duke e ndihmuar ‘Linja e Jetës’ me shpëtu sa më shumë jetë. Shumë dashuri, stafi i Linjës së Jetës”, ka qenë mesazhi që ‘Linja e Jetës’ i ka dërguar Dafinës.






Ky është padyshim një lajm shumë i bukur, që na rikujton edhe një herë se sa e rëndësishme është muzika dhe se sa të kujdesshëm duhet të jenë artistët me mesazhet që transmetojnë.

/News31