Bullgaria bllokon sërish negociatat e Maqedonisë së Veriut: “Të ndahet nga Shqipëria”
Politika e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut mbetet e pandryshuar, sa i përket negociatave për integrimin në BE.
Ky shtet kërkoi zyrtarisht që Shqipëria të shkëputet për procesin e Integrimit drejt Bashkimit Evropian nga Maqedonia e Veriut.
Ambasadori i Bullgarisë në BE, Rumen Aleksandrov, tha se Shqipëria duhet të vlerësohet e pavarur nga Maqedonia e Veriut, bazuar në arritjet e saj. Aktualisht, procesi i dy shteteve është i lidhur së bashku dhe vetoja e Sofjes ndaj Shkupit bllokon edhe fillimin e bisedimeve të anëtarësimit në BE edhe me Shqipërinë.
“Fatkeqësisht, Republika e Maqedonisë së Veriut ende nuk i mbulon kriteret për zhvillimin e konferencës së parë ndërqeveritare”, tha Aleksandrov.
Ndonëse Shkupi, por edhe Tirana prisnin që zgjedhjet në Bullgari të pasoheshin me një ndryshim kursi për heqjen e vetos që po mban peng zhvillimin e konferencës së parë ndërqeveritare, pasi rrugëtimi për dy vendet është konceptuar në bllok, si duket kjo s’ka për të ndodhur. Duke qenë se fjalën e fundit e kishte qeveria e re që u formua, deklarata e kryeministrit nuk lë vend për të menduar se diçka do ndryshojë.
Fillimisht ideja e ndarjes së Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut u la e hapur, por disa shtete të BE-së u shprehën kundër pasi sipas tyre vendimi do të jepte sinjal negativ për rajonin.
/News31