LIFESTYLE 15 Nëntor 2021, 14:03

Bukë me vete në shkollë? Nutricionistja Albana Daka: “Është detyrë e tyre edukata, nuk mund të akuzojmë prindërit”

Bukë me vete në shkollë? Nutricionistja Albana Daka:

Para pak kohësh Ministria e Arsimit në bashkëpunimin me Ministrinë e Shëndetësisë, hartoi një rregullore të re për ushqimet në shkolla. Sipas saj u vendos që disa ushqime, të cilësuara si të pashëndetshme për shëndetin e fëmijëve mos të lejoheshin të tregtoheshin më në ambientet brenda apo pranë shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazeve të vendit. Synimi i këtij vendimi është lufta kundër kequshqyerjes dhe mbrojtja e nxënësve prej materialeve të dëmshme për ta.

Këtë nismë e ka mbështetur totalisht nutrcionistjsa Albana. Në rubrikën “ABC e Shëndetit”,  me moderatorin Alban Musa, ajo ka thënë se është detyrë e shkollës të vendosë protokolle dhe jo e prindërve. Sipas saj, një familje që ka në frigorifer ushqime të paketuara do të jetë një subjekt i një spitali.

“Kur hapim një frigorifer dhe gjen një frigorifer me ngjyra, jo me ngjyrat e etiketave, me ngjyrat e perimeve dhe të frutave është i bukur dhe i shëndetshëm. Një frigorifer me etiketa të çdo lloj ushqimi të paketuar, ai frigorifer nesër do të kemi një familje të sëmurë, që do jetë subjekt i një spitali”, tha nutricionistja.

Ajo shtoi se kjo është problematikë e vetë shkollës, jo prindërve, që sigurisht nuk mund të quhen të pakulturuar. Nutricionistja shtoi se edukatën, edhe lidhur me të ushqyerin duhet ta përcjellë shkolla.

“Unë mendoj që kryesisht është problematika e shkollës. Në një debat që kam bërë me shkollën, i kam thënë jo po prindërit janë të pakulturuar. Së pari, djepi i kulturës dhe informacionit dhe edukatës është shkolla. Pra ne nuk mund t’i ndajmë prindërit në të kulturuar dhe në të pakulturuar, por shkollën padyshim duhet ta kemi brenda asaj që shkolla duhet t’i japi, edukatën, kulturën, mësimin. Pikërisht, është detyra e shkollës, që t’i vërë kufi edhe prindërve”, tha ajo.

Në fund ajo shtoi në "ABC e Shëndetit", se në këtë mënyrë iu vendoset kufij edhe vetë prindërve.

“Shkolla mund t’i thotë prindërve që fëmija e ka të ndaluar të ketë lekë në xhep, fëmija e ka të ndaluar të ketë ushqime të paketuara me vete, siç po e vë ministria tani, vetëm ushqime në kushte shtëpie. Është detyra kryesore e shkollës, ne nuk mund të akuzojmë prindërimin”, argumentoi Albana Daka.

Kujtojmë që në listën e Ministrisë së Arsimit, përfshiheshin ëmbëlsirat, kryesisht produktet me çokollatë; ushqimet e skuqura, në të cilat përfshihen patatinat, salsiçet dhe petullat; ushqimet e aromatizuara, me përmbajtje yndyre, yndyre të ngopur, natriumi dhe sheqeri; si dhe pijet freskuese me ose pa gaz.

https://youtu.be/9SiU9kmcpmA?t=1

/News31