Për ata që janë kundër totalitarizmit dhe kanë idenë e tyre të demokracisë, ky është libri i duhur!



Kohërat ku jetojmë, jo vetëm për shkak të pandemisë, por edhe nisur nga ngjarjet politike të pazakonta, kanë nevojë për sa më shumë mjete që mund të na ndihmojnë të kuptojmë dhe analizojmë gjithçka ndodh. Botimet “Pegi” kanë bërë sërish zgjedhjen e duhur për të sjellë në duart e lexuesëve shqiptarë një nga veprat më të njohura të të gjitha kohërave, “Femrën e Kafshëve” nga Orwell. Në fakt shtëpia e njohur botuese sjell brenda pak kohësh romanin e dytë më të njohur të Orwell, ndërsa më parë botoi “1984” e famshme. Tani, kur sistemet politike duket se janë në krizë identiteti, ferma e autorit britanik vjen e përkthyer nga Sokol Çunga dhe sigurisht, më e pakta që mund të bëjë është që t’ju qartësojë dhe t’ju mësojë më shumë për idealizmin.

Si do të përshkruhej libri me një fjalë të vetme?

Ferma e kafshëve është shembulli i përkryer se si ideja e një socializmi sipas volisë së dikujt, fillon të hedhë rrënjë për t’u shndërruar në një diktaturë komuniste.

Historia që trajtohet në këtë vepër të njohur, në mënyrtë të përmbledhur është kjo;

Pas vitesh të tëra shtypjeje e shfrytëzimi, kafshët e një ferme, të lodhura nga mujshitë e vazhdueshme të qenieve njerëzore, vendosin të ngrenë krye dhe pasi dëbojnë pronarin, orvaten të krijojnë një rend të ri, të themeluar mbi një koncept utopik barazie. Megjithatë, shumë shpejt, mes tyre lind një klasë e re burokratësh, derrat, të cilët me dinakërinë, makutërinë dhe egoizmin që i karakterizojnë u imponohen në mënyrë arrogante dhe tiranike kafshëve të tjera më të buta dhe shpirtmira. Thellësisht aktual dhe po aq i freskët sa ç’ka qenë më shumë se gjysmë shekulli më parë, “Ferma e kafshëve” është një përrallë për ata që mëtojnë të jenë çlirimtarë kudo në botë. Teksa dëshmohet, përmes thjerrës së historisë, ngritja dhe rënia e përgjakshme e kafshëve revolucionare, dallohen farat e totalitarizmit në sistemet më ideale, si dhe shpirtrat e shtypësve më të egër te udhëheqësit tanë më karizmatikë. “Përrallë” e ka quajtur vetë Orwelli, teksa derrat zënë e marrin gjithnjë e më tepër tipare njerëzore, por ndërkaq është një alegori e thellë jo vetëm ndaj sistemit komunist të ish-Bashkimit Sovjetik, por ndaj të gjitha diktaturave njerëzore.

Njësoj sa historia që trajtohet, po aq i veçantë është stili me të cilin është shkruar libri. Satira e mprehtë oruelliane ndaj totalitarizmit bashkohet me gjeninë krijuese dhe një energji stilistikore që e vendosin “Fermën e kafshëve” mes veprave më të njohura letrare të shekullit XX. Vetë britaniku është shprehur kështu për “Femrën e Kafshëve”, por edhe krijimet e tij të tjera:

“Çdo rresht të çdo vepre serioze që kam shkruar nga 1936 e këtej, e kam shkruar direkt ose indirekt kundër totalitarizmit dhe pro socializmit demokratik, ashtu siç e mendoj unë.”

Ndërsa një nga kritikat më të mira që ka marrë libri nga “The New Yorker” është:

“Orwell-i nuk e donte komunizmin, por as kapitalizmin, prandaj “Ferma e kafshëve” u shndërrua në një paralajmërim kundër ndryshimeve politike në vetvete.”

/News31