NEWS 16 Korrik 2021, 12:53

Biznesmenët protestë para Ministrisë së Shëndetësisë: "Po falimentojmë, të lejohen dasmat!"

Biznesmenët protestë para Ministrisë së

Shoqata e Bizneseve në Shqipëri i ka dërguar një letër Ministrisë së Shëndetësisë dhe Komitetit Teknik të Ekspertëve ku u kërkon që të shtyhet ora policore. Në këtë kërkese zyrtare, shkruhet se bizneset po përballen me vështirësi ekonomike për shkak të situatës së krijuar nga pandemia.  Ditën e sotme pronarët e lokaleve të dasmave në zonën e Kamzës kanë dalë në një protestë para Ministrisë së Shëndetësisë. Ata kërkojnë zgjatje të orës policore dhe lejimin e zhvillimit të ceremonive të dasmave në bizneset e tyre.

Sipas tyre, në qytete të tjera dasmat po zhvillohen normalisht, ndërsa në Kamëz ata janë penalizuar nga shteti. Këto biznese kërkojnë nga Ministria vlerësim të situatës dhe trajtim të njëjtë për të gjithë subjektet në të gjithë vendin.

"Ligji është i barabartë për të gjithë, vijnë dasmorët e thonë po nuk i bëtë ju i bëjmë në Tiranë. T’ju bëj një pyetje, a bëhen dasmat a nuk bëhen? Nuk kemi me pagujt drita, kemi falimentu totalisht. Ligji duhet të jetë i barabartë. Ju më thoni ka njerëz a nuk ka njerëz në lokale. Kudo lejohet, po ne ca jemi? Ligji mbase është më i butë atje, te ne ndalohet. Policia është gjatë gjithë kohës në kontroll. Jemi shumë të mërzitur që ky dallim po bëhet për Kamzën. Vetëm shteti mund t'i japë zgjidhje. Është katastrofë. Ne me shtetin nuk zihemi dot, na shtyp me këmbë. Dasmat vetëm më Kamëz nuk bëhem, policia është në vëzhgim, 10 herë në ditë, po i tremb fëmijët. Vjen policia nuk na lejon fare, të shkoni në Durrës keni koncerte me 3 mijë veta, me 20 veta të vjen policia në sekond."

Po ashtu, ata kanë marrë një përgjigje nga ana e ministrisë. Një prej tyre tha se një përfaqësuese e ministrisë iu bëri të ditur se Komiteti i Ekspertëve do të mblidhet këto ditë për të diskutuar çështjen e tyre.

‘Sapo takova përfaqësuesen dhe më tha që do mblidhet Komitetit, do të kthejmë një përgjigje sa më shpejt të jetë e mundur.’- tha biznesmeni.

/News31