Bankat më të mëdha në botë kanë ndihmuar kriminelët të pastrojnë 2 trilionë dollarë
Disa nga bankat më të mëdha në botë kanë ndihmuar kriminelë të ndryshëm të lëvizin paratë e krijuara nga aktiviteti kriminal për rreth dy dekada me radhë. Ky ishte përfundimi që është arritur pas publikimit të disa dokumentave sekrete ditën e dielë. Dokumentet përfshinin më shumë se 2000 raportime për aktivitet të dyshimtë (raportim që bankat bëjnë drejt autoriteteve të drejtësisë amerikane kur sistemi ka dyshime për transaksionet që institucionet financiare po kryejnë), ku jepeshin detaje për transaksione që mendoheshin se mund të ishin korruptive, vlera e ë cilëve ishte rreth 2 trilionë dollarë .
Sipas dokumenteve bankat u kanë ofruar shërbime financiare individëve me rrezik të lartë përfshirjeje në aktivitete kriminale edhe pasi ndaj tyre ishin vendosur sanksione nga qeveria amerikane. Ato u publikuan fillimisht nga "BuzzFeed News", më pas edhe nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigativë, ku ndër të tjera tregohej se në këtë skemë janë të përfshira 5 banka botërore, si JPMorgan, HSBC, Standard Chartered, Deutsche Bank dhe Bank of New York Mellon.
Mes individëve dhe organizatave të përfshira në këto transaksione janë oligarkë rusë, organizata terroriste, kartele droge dhe shumë individë të përfshirë në skema mashtrimi me qeveri të ndryshme. E thënë thjesht ato kanë ndihmuar gjatë viteve të fundit kriminelët të pastrojnë paratë e tyre dhe tani gjenden nën hetim, ndërsa pritet që të pezullohet edhe aktiviteti ditët në vazhdim.
/News31