Aksidentoi për vdekje të riun në Kamëz dhe fshehu ngjarjen, arrestohet polici bashkë me të vëllain
Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një të riu ka ndodhur pak pas mesnate në Kamëz. Aksidenti ka ndodhur tek bulevardi ‘Blu’ ku nje motor është përplasur me një makinë tip “Benz”. Më herët ditën e sotme u raportua se viktimë ka mbetur një 26- vjeçar, drejtuesi i motorit, identiteti i të cilit ende nuk është bërë i ditur.
Sakaq, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka arrestuar një punonjës policie. Efektivi Roxhels Milkurti, me detyrë inspektor në Komisariatin nr.4 në Tiranë ishte duke udhëtuar rreth orës 00:15 bashkë me vëllain e tij M.M., 22 vjeç. Të dy janë arrestuar, ndërsa akuzohen se kanë tentuar të fshehin ngjarjen.
NJOFTIMI I PLOTË:
Drejtoria Rajonale e SHÇBA Tiranë arrestuan në flagrancë punonjësin e policisë, Inspektor R.M., 20 vjeç, punonjës policie pranë Komisariatit të Policisë Nr.4 Tiranë, dhe vëllain e tij shtetasin M.M., 22 vjeç. Arrestimi u krye pasi duke qarkulluar me mjetin tip “Benz” në rrugën “Teuta”, në drejtim të rrethrrotullimit të Frutikulturës, Kamëz, sot rreth orës 00:15 aksidentuan mjetin motoçikletë tip “Suzuki”, me drejtues një 26-vjeçar, i cili ka humbur jetën menjëherë si pasojë e përplasjes.
Materialet hetimore janë referuar në Prokurorinë Pranë Gjykatës Shkallës Parë Tiranë për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Pengimi për zbulimin e të vërtetës”. SHÇBA mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të shkeljes së ligjit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.
/News31