Skandali i sanitares që mori 8 milionë lekë, reagon spitali Shefqet Ndroqi: "Nuk mund të njolloset puna e personelit, të hetohet deri në fund"
Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi”, i cili gjatë këtyre muajve të pandemisë ka shërbyer si Covid-2, ka reaguar ditën e sotme pas skandalit të denoncuar mbrëmjen e djeshme nga emisioni investigativ “Stop”, ku një sanitare, duke u hequr si infermiere, i kishte marrë 8 milionë lekë një vajze për t’i shpëtuar të ëmën, e cila fatkeqësisht kishte ndërruar jetë.
Sipas video-ve dhe mesazheve të publikuar në program, sanitarja Tire Alldërvishi, i kishte marrë 30-vjeçares paratë, duke i premtuar se do i shpëtonte të ëmën nga Covid-19, por në të vërtetë së bashku me pejsën tjetër të personelit nuk i kishin dhënë asaj as kujdesin më minimal. Sanitarja u pushua nga puna ditën e djeshme, me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa sot u arrestua me akuzën e korrupsionit, teksa nëhetim janë edhe 4 persona të tjera.
Në reagimin e spitalit "Shefqet Ndroqi" dënohet ashpër ngjarja, ndërsa i kërkohet autoriteteve të kryejnë hetimin e rastit deri në fund.
“Gjithë personeli shëndetësor i spitalit “Shefqet Ndroqi” ndjehet tejet i lënduar, befasuar nga veprimi korruptiv, ç’njerëzor i sanitares me inicialet T.A dhe dënon me forcë këtë akt të paligjshëm, korruptiv i bërë publik në emisionin investigativ ‘STOP’. Ky akt i shëmtuar dhe i papërgjegjshëm nuk mundet kurrsesi të njollosë punën vetëmohuese dhe të jashtëzakonshme të personelit shëndetësor të spitalit “Shefqet Ndroqi”. Personeli shëndetësor i spitalit duke u distancuar nga ky veprim do të vazhdojë të ofroj me përkushtim shërbimin shëndetësor në kohë dhe me cilësi. Mbas shkarkimit nga puna e sanitares i kërkojmë autoriteteve kompetente të kryejnë hetimin deri në fund të këtij rasti. Personeli i shërbimit shëndetësor ‘Shefqet Ndroqi'- shkrueht në reagimin e institucionit shëndetësor.
/News31