Një vit pas viktimës së parë nga Covid-19, Kina përballet me një shpërthim tjetër të virusit

Në “1-vjetorin” e viktimës së parë nga Covid-19 në Wuhan, Kina po përballet me një shpërthim të ri të virusit. Autoritetet shëndetësore atje kanë bërë me dije se dhjetëra persona kanë rezultuar pozitiv në provincën Hebei, afër kryeqytetit Pekin.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në Hebei janë raportuar 82 raste të reja lokale ditën e djeshme.  Shqetësimi për të infektuarit vjen teksa Kina ka “injoruar” 11 janarin, përvjetorin e viktimës së parë në Wuhan nga COVID-19.

My Dental

Kujtojmë se një vit më parë, mediat kineze raportuan vdekjen e një 61-vjeçari, nga një virus i ri, i panjohur. Në atë kohë u tha se burri kishte vizituar një treg të kafshëve në Vuhan, ku ka shpërthyer fillimisht virusi, ndonëse edhe sot kjo mbetet e paqartë, nëse ka qenë vërtetë kështu.

Ndërsa Wuhan-i i është kthyer normalitetit pas izolimit të plotë për disa muaj në fillim të 2020, duket se rastet e reja do të sjellin masa të tjera të ashpra. Kina është kritikuar për mënyrën sesi ka menaxhuar pandeminë, përfshirë këtu edhe tentativat për të heshtur dëshmitarët në institucionet e shëndetësisë, si edhe për dështim të raportimit të rasteve të infektimit në janar të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins deri më tani janë infektuar me Covid-19 mbi 90 milionë persona dhe 1.9 milion pacientë kanë vdekur. Gj ithsesi numri i vërtetë i të infektuarve në nivel global besohet se është shumë më i lartë.

/News31